Valtoni: Kengen qe me mbeti pergjysem me Emmy-n ia kushtoj asaj

Para dy vitesh ishte një rastësi që këngëtari i njohur kosovar Valton Krasniqi të takohej me këngëtaren Emmy (Elsina Idershai) dhe po ashtu të mendonin për një duet. Ata realizuan këngën “Rastësisht u pamë”, klipi i realizuar në një aeroport dhe që u pëlqye shumë, duke e bërë të njohur këngëtaren e re. Që nga 1 marsi, Emmy nuk jeton më, por ashtu si disa kolegë të saj që kanë më shumë për të treguar nga planet muzikore të mbetura përgjysmë, edhe Valtoni ka një eksperiencë të tij. Ai rrëfen për këngën e re që kishte nisur të krijonte për Emmy-n, dhe remix-n e këngës “Rastësisht u pamë”, që ia kishte dërguar ta dëgjonte vetëm një ditë para ndarjes së saj fatale nga jeta në moshën 21- vjeçare.
Valton, ti ke qenë një nga miqtë artistë të Emmy-t, komunikonit shpesh me njëri-tjetrin?
Po ishim miq. Me Emmyn komunikonim shpesh në msn, pothuajse çdo ditë. Në bisedat tona një ditë më tha që kënga jonë “Rastësisht u pamë” vazhdonte të pëlqehej dhe ndaj menduam ta realizonim në variantin remix, të përshtatshme për “Club version”. Unë fillova ta bëj dhe arrita ta mbyll shpejt si këngë në variantin e ri. Vetëm një ditë para se të ndodhte aksidenti me Emmy-n, ajo më telefonoi pasi kishte shumë dëshirë dhe ishte kurioze ta dëgjonte këngën. Ia dërgova në email, dhe e pëlqeu jashtëzakonisht shumë.
Kishit menduar për një duet të dytë meqë me “Rastësisht u pamë”, ju patët sukses si çift?
Po. Para ngjarjes së rëndë që i mori jetën Emmy-t, ajo më telefonoi posaçërisht për këtë gjë, dhe kemi biseduar për një bashkëpunim të ri. Ishte një kërkesë që ma bëri ajo, duke më kërkuar të bëjmë këngë të re bashkë, pas suksesit të duetit tonë me këngën “Rastësisht u pamë”. E pranova me dëshirë kërkesën dhe madje fillova të punoj demon e këngës, që ajo fatkeqësisht nuk arriti ta dëgjonte.
Çfarë ke menduar të bësh me demo-n, do arrish ta realizosh këngën tani që ajo s’jeton më?
Demon e kam ende, dhe shpresoj ta realizoj me një këngëtar tjetër, pasi është zhanri i muzikës “club”. Do të jetë një këngë që unë kam menduar t’ia dedikoj Emmy-t. Në atë melodi dhe ato vargje do të mishërohet kujtimi për atë vajzë.
Ruan ndonjë kujtim special nga puna me Emmy-n, që vazhdosh ta mbash në arsenalin e kujtimeve të tua?
Një kujtim që më ka mbetur në mendje dhe kurrë s’do ta harroj, është një video “making of” e videoklipit “Rastësisht u pamë” që do ta ruaj ende. Nuk gjej fjalë për ta përshkruar këtë fatkeqësi, ende nuk mundem të besoj se Emmy nuk jeton më.
| Valtoni: Kengen qe me mbeti pergjysem me Emmy-n ia kushtoj asaj | 0 |
.gif)
.gif)
0 Responses So Far: