Inis Gjoni: Ëndërroj martesën dhe fëmijët 0

Administrator | 6:30 AM |

Inis Gjoni: Ëndërroj martesën dhe fëmijët


Prej disa kohësh Inis Gjoni nuk e bën gjumin rehat, për shkak se shfaqja e saj më e fundit, “Salla e banjës”, e ka mbajtur goxha në ankth dhe të preokupuar. “Ideja e veprës është, që vetmia të vret dhe në jetën e çdo njeriu vjen një moment ku ai kupton, se nuk duhet të jetë më vetëm, por duhet të kesh një njeri përkrah për të ndryshuar jetën.

Sado që bota të avancojë, teknologjia të ecë me hapa gjigandë, sërish qenia njerëzore kërkon që ta duan dhe gjithashtu do të japë dashuri, kështu që kjo është e pashmangshme”, – thotë Inisi. Duke marrë shkas nga kjo, e pyetëm se a gjen ajo ndopak nga vetja te këto personazhe, pra a është tradicionale, a pret edhe ajo Princin e Kaltër etj…  “Këto janë gjërat, që nuk besoj se nuk i ka menduar ndonjë femër. Edhe unë, si gjithë të tjerët, si çdo femër, jam tradicionale në këtë pikë”, – tregon regjisorja e bukur kaçurrelse, që nuk pranon të rrëfejë, nëse është pranë realizimit të kësaj ëndrre.

Inis, si po shkon shfaqja juaj më e fundit, “Salla e banjës”. Çfarë ju tërhoqi te kjo shfaqje?

Po shkon shumë mirë në fakt, jam e kënaqur. Te ajo më tërhoqi fakti, që kam parë një klithmë femre, dëshirën e saj të madhe për të jetuar një jetë sa më të mirë, me familje, me instinktin e pashmangshëm të ciklit të riprodhimit dhe të sjelljes në jetë të një fëmije. Është një vepër shumë realiste dhe aktuale, që u shfaq premierë pikërisht me rastin e 8 Marsit, ditës përmes së cilës femrat kanë shpallur revoltën dhe forcën e tyre. Kanë luftuar shumë, sidomos shekullin e kaluar, për të gjetur vendin e tyre në shoqëri. Edhe pse e ka kërkuar këtë lloj force, femra është tradicionale brenda vetes. Ato edhe pse përpiqen dhe mundohen të kenë një jetë të pavarur, duke na dhënë përshtypjen se janë të forta, thellë-thellë ëndërrojnë të kenë familje, të kenë Princin e Kaltër, pra janë të brishta dhe duan atë që femra ka kërkuar që në gjenezë, që në fillimet e saj. Ideja e veprës është, që vetmia të vret dhe në jetën e çdo njeriu vjen një moment ku ai kupton se nuk duhet të jetë më vetëm, por duhet të kesh një njeri përkrah, për të ndryshuar jetën. Sado që bota të avancojë, teknologjia të ecë me hapa gjigandë, sërish qenia njerëzore kërkon që ta duan dhe gjithashtu do të japë dashuri, kështu që kjo është e pashmangshme.

Po ju a jeni tradicionale, sikurse është në thelb çdo femër?

Po, po, në mënyrë të pavetëdijshme njerëzimi kërkon gjërat tradicionale.

Pra, sigurisht që edhe ju mendoni për martesën, familjen, fëmijët?

Këto janë gjërat, që nuk besoj se nuk i ka menduar ndonjë femër. Edhe unë, si gjithë të tjerët, si çdo femër, jam tradicionale në këtë pikë.

Duke ju parë kaq në formë, na krijohet përshtypja se impenjimet ditore nuk ju lodhin. Është e vërtetë kjo?

Mua më vjen shumë mirë që ma thoni këtë, por brenda vetes e ndjej, që jam në rezervat e mia të fundit. Është pa diskutim e lodhshme dhe impenjative puna për vënien në skenë të një vepre artistike, por nga ana tjetër më jep një kënaqësi kaq të madhe, saqë nuk do t’ia vlente fare të ankohesha.

Ndjeheni e përkëdhelur nga fati?

Po, shumë. Kam përshtypjen, se njerëzit nuk do të donin ta ndërronin fatin e tyre me asnjë tjetër.

Kjo mbase nuk është e vërtetë, duke parë se sa hallexhinj ka përreth.

Vërtet? Unë mendoj se për vete nuk do doja kurrë ta ndërroja fatin tim.

Jeni bërë pishman për ndonjë gjë?

Pishman jo, them se kam marrë gjithçka në kohën e duhur dhe në momentin e duhur, me ato mundësi që kam pasur dhe mbi të gjitha, kam bërë shumë gjëra që kam dashur. Por, nëse do kisha mundësinë të bëja gjëra më tepër?! Pa diskutim që po, edhe për më mirë, pa diskutim që po. Edhe pse këtë të fundit e them me mëdyshje, pasi pyes vetes, se çfarë do kisha bërë më tepër dhe më mirë, pasi aq më kanë ofruar rrethanat, por kur e shoh në retrospektivë, them që shumë gjëra mund t’i kisha bërë më mirë.

Jemi kuriozë të dimë, edhe në shtëpi kaq e mbajtur jeni apo nuk i kushtoni vetes të njëjtën rëndësi?

Po pa make-up, kjo është e sigurt. Në shtëpi rri shumë thjesht, madje edhe jashtë shtëpisë dal kryesisht pa grim, sidomos këto kohë që jam shumë e angazhuar.

Gatuan vetë apo preferon restorantet?

Sikurse të thashë, sapo kam ardhur nga një drekë e gjatë, që më lodhi. Më pëlqen të gatuaj, por gatimet e mia nuk i preferojnë edhe pse unë i bëj me kënaqësi. Çdo ditë, drekën ma gatuan motra, jam me fat në këtë drejtim.

Po me Ingridin, keni ndonjë plan për ndonjë bashkëpunim të ardhshëm?

Ingridit i bëra ftesë për të marrë pjesë në këtë komedi, pasi Ingridi ka mbaruar studimet për aktrim dhe për mua personalisht, jo vetëm si motër, por e parë edhe me një sy tjetër, më pëlqen si aktore, gjë që e thonë edhe shumë kolegë të mi. Por Ingridi ishte shumë e zënë me turneun e saj në Europë, saqë preferoi më mirë të vijonte turneun e saj, sesa të interpretonte në komedinë time.

Kështu që ju keni hequr dorë nga ofertat në drejtim të Ingridit?

Nuk besoj që këto kohë do të pranonte ndonjë ofertë timen, kështu që më mirë e kam lënë për një kohë të mëvonshme.

Kemi në duar disa gazeta, lajmet rozë të së cilës kanë të bëjnë me Ingridin. Jeni mësuar tanimë me thashethemet apo ende e ndjeni peshën e tyre?

Kur thuhet thashetheme, ka brenda spekulimin, por nuk ka etikë profesionale kur shpiket, sidomos kur bëhet fjalë për gazetat prestigjioze, që kanë një emër në treg. Megjithatë, nëse ka një gjë që i lehtëson artistët, është fakti që edhe populli, pra lexuesit, e kanë kuptuar se deri ku shkon thashethemnaja e servirur nga mediat. Të paktën kjo është e nevojshme për një artist, pasi nuk ke mundësi të sqarosh vetë gjithë lexuesit.

Këto kaçurrelat që ju identifikojnë, nuk keni menduar t’i ndryshoni ndonjëherë, edhe pse janë pjesa juaj më e bukur?

Sa herë që mendoj për t’i shtrirë, më del ndonjë punë për të bërë, pasi me flokët e mi duhet shumë kohë, bëhet fjalë për një proces të gjatë pune. Preferoj t’i shtrij sa më rrallë që është e mundur, pasi kam edhe dhimbje nga krehri i parukierit.

Megjithatë, besoj se shumica e njerëzve që ju njohin, janë të mendimit që me kaçurrela ngjani shumë më bukur, apo jo?

Pa diskutim që po, edhe mua vetja më pëlqen më shumë me kaçurrela.

Si qëndroni në formë, dimë që i jeni përmbajtur një diete më parë, apo jo?

Më parë po. Bëhej fjalë për një dietë të shpikur nga vetë unë, që funksionon duke kuptuar gjërat që të bëjnë dëm. E mbajta këtë dietë për të paktën një vit dhe isha shumë e kënaqur me veten, që arrita të dobësohesha. Por pati njerëz, të cilëve nuk u pëlqeu dobësimi im, sidomos pjesëtarëve të familjes, kështu që gradualisht fillova të shtoj pak në peshë, por jo diçka për t’u shqetësuar. Për momentin nuk jam duke shkuar në palestër. E kam zakon ta nis e ta lë palestrën, pasi më dalin vazhdimisht gjëra, që kanë nevojë për impenjim, siç është tani shfaqja “Salla e banjës”. Por, tensioni më mban në formë.

Po me cigaren si e keni raportin?

Po mundohem ta lë, e kam rralluar shumë në fakt.

Së fundmi, diçka nga jeta personale, kush është Princi juaj i Kaltër?

Jam e kënaqur me jetën time private, kaq. (Qesh)





Intervistoi: Fjoralba Shahaj

0 Responses So Far:

 
HAPSIRA JOTE Copyright © 2010 Prozine Theme is Designed by DeNi Home | RSS Feed | Comment RSS